Plakja dhe trajtimet anti-age

Plakja është një proces normal dhe i detyrueshëm që prek çdo qelizë të gjallë. Çdo njeri hyn në këtë proces që në moshën 20 vjeçare, ecuria e saj është e ndryshme nga një individ në tjetrin dhe varet nga mënyra e jetesës dhe trashëgimia. Gjatë rritjes, numri i qelizave që lindin është më i madh se i atyre që vdesin, ndërsa gjatë procesit të plakjes ndodh e kundërta. Një tjetër faktor që ndikon plakjen është dhe sekretimi i hormoneve, i cili me kalimin e moshës ka tendencë te bjerë. Shenjat e plakjes mund të shihen qartë. Ato përfshijnë elementë të tillë si; rënia e flokëve, formimi i qeseve të syve dhe plakja e lëkurës.

Plakja e lëkurës kalon në 3 stade: në fillim lëkura dehidratohet, por është ende e tonifikuar. Në këtë stad rrudhat janë të dukshme vetëm kur fytyra bëhet ekspresive. Në stadin e dyte lëkura krijon rrudha edhe në gjendje jo ekspresive dhe thahet më shpejt. Stadi i tretë karakterizohet nga një lëshim, dehidratim dhe hollim i lëkurës.

Plakja e lëkurës së fytyrës dhe qafës vjen si pasojë e veprimit të përbashkët të tre faktorëve: humbja e cilësisë së fibrave te lëkurës që shfaqet që në  moshën 30 vjeçare, hollimi i shtresave te lëkurës sidomos i asaj dhjamore dhe së fundmi nga dëmtimi i lëkurës që vjen si pasojë e rigjenerimit jo të mirë të fibrave elastike. Për të plotësuar këto mungesa kërkuesit patën idenë e injektimit të produkteve që ndihmojnë rigjenerimin e fibrave elastike. Përveç fibrave, nuk duhen harruar dhe gjëndrrat dhjamore dhe ato të djersës të cilat ndikojnë gjithashtu në cilësinë e lëkurës duke bërë një hidratim të mirë të saj. Me kalimin e moshës bie edhe aktiviteti i këtyre gjëndrave duke e bërë lëkurën më të thatë, të dehidratuar dhe më të hollë.

Faktorë që thellojnë procesin e plakjes, përveç faktorëve fiziologjikë normalë si rënia e sekretimit të gjëndrave dhjamore dhe të djersës, janë dhe faktorët e jashtëm. Faktori më i njohur është dielli, po ashtu një tjetër faktor plakje është duhani, ndotja, stresi si dhe ekspozimi ndaj substancave kimike siç mund të ndodhë për njerëz që ushtrojnë profesionin e kimistit, piktorit, etj.

Për të evituar një plakje të parakohshme duhet të veprojmë shumë shpejt, që prej adoleshencës. Para së gjithash duhet treguar kujdes për higjienën e lëkurës dhe të jetës në përgjithësi, kohën e ekspozimit në diell dhe hidratimin e mirë të lëkurës. Mënyrat për të luftuar plakjen mund ti ndajmë në parandaluese dhe kurative. Të parat i adresohen më së shumti të rinjve të cilët duhet të kujdesen për hidratimin e lëkurës. Kremrat kozmetike “anti-age” mund të fillojnë gjithashtu të përdoren që prej moshës 30-vjeçare. Kur mosha avancon dhe në fytyrë janë formuar rrudhat, atëherë duhet të fillojmë të mendojmë për metodat kurative, duke iu drejtuar mjekësisë estetike apo edhe kirurgjisë estetike.

Dërgo një mesazh