Kirurgjia estetike është pjesë e kirurgjisë plastike. Kirurgjia estetike ka për qëllim zbukurimin e siluhetës, fytyrës apo rinimin e pamjes duke praktikuar akte të ndryshme. Kur flitet për kirurgji estetike, bëhet fjalë për një fushë krejt të veçantë ku, cilido qoftë akti që praktikohet, qëllimi është përmirësimi morfologjik apo zvogëlimi i pasojave të plakjes. Duke mos patur për qëllim trajtimin e një patologjie, ajo nuk është asnjëherë e detyrueshme dhe çdo vendim operator vjen si pasojë direkte e kërkesës së vetë pacientit.
Asnjëherë kirurgu nuk sugjeron praktikimin e saj, por ndihmon pacientin të bëjë zgjedhjen e duhur në rastet kur ai e dëshiron atë. Sigurisht që rezultati i një korrigjimi estetik mund të jetë shumë i nevojshëm, duke sjellë përmirësim të dukshëm në jetën e pacientit.
Kirurgjia estetike përfshin një regjistër shumë te gjerë ndërhyrjesh në trup, fytyrë dhe kokë. Ndër aktet kryesore mund të përmendim lipoaspiracionin apo thithjen e dhjamit, abdomoplastikën apo reduktimin e barkut, kirurgjinë e gjirit për rritjen apo zvogëlimin e volumit të tij, lipostrukturën, e cila ka të bëjë me injektimin e dhjamit për korrigjime të humbjes së volumit në fytyrë apo trup, lifting të fytyrës, blefaroplasti apo kirurgji të kapakëve te syrit dhe qeseve dhjamore, otoplastikë dhe rinoplastikë apo përkatësisht kirurgjinë e korrigjimit të veshëve dhe hundës, transplatin e flokëve dhe shumë të tjera.
Në kirurgjinë e sotme estetike praktikohen gjithashtu ndërhyrje në organet gjenitale si tek meshkujt (zgjatje dhe zgjerim të penisit) ashtu dhe tek femrat (riparim apo modifikim morfologjik të buzëve të vaginës për shkak të defekteve të lindura apo aksidenteve që lidhen më së shumti me lindjet). Krahas vendosjes së protezave mamare (të gjirit), praktikohet gjithashtu gjerësisht vendosja e protezave tek vithet apo në pjesë të fytyrës (mjekër), të cilat kanë gjithashtu rezultate të mira.