Acidi hialuronik
është një glycosaminoglycane që gjendet brenda qelizave të shumicës së organeve tek njeriu veçanërisht në ato të lëkurës. Me kalimin e moshës sasia e tij sa vjen dhe pakësohet duke sjellë një humbje të tonicitetit të lëkurës dhe si pasojë, plakjen e saj.
Ai përdoret duke u injektuar në lëkurë, në formën e një xheli transparent që gjendet në një shiringë me një age shumë të hollë. Duke u injektuar ai krijon volum dhe jep një pamje të shëndetshme dhe gjithë vitalitet. I injektuar nën rrudhë, ai mbush shtresat dhe i rijep lëkurës pamjen e saj të lëmuar, natyrale dhe të tendosur. Shpesh ai shoqërohet me vitaminë C e cila e ndihmon të përhapet më mirë në shtresat konjuktive.
Në funksion të zonës që trajtohet, injektimi i tij mund të paraprihet nga një anestezi e vogël lokale, me injeksion apo me krem anestezie EMLA, i cili aplikohet 20 min para injeksionit. Pas injeksionit mund të kemi një skuqje të përkohshme e cila zhduket pas 24-48 orësh. Po ashtu mund të pasojë një edemë e lehte e cila është gjithashtu e përkohshme dhe që mund të reduktohet nëse zona e trajtuar mbahet me akull, menjëherë pas injeksionit.
Mund të vërehen dhe efekte të tjera dytësore si, dhimbje në pikat e injektimit, ndjesi kruajtje, çngjyrime dhe mbi-ndjeshmëri në pikat e injektimit. Në raste shumë të rralla, < se 1 ne 2000, janë sinjalizuar reaksione mbi-ndjeshmërie. Në fakt, acidi hialuronik është një nga produktet mbushëse më të sigurta që ekzistojnë aktualisht në tregun botëror. Rreziku i komplikacioneve është shumë i vogël, por nuk mund të përjashtohet.