Qëllimi i këtij operacioni është korrigjimi i hipertrofisë mamare. Interventi konsiston në reduktimin, ngritjen, simetrinë dhe rimodelimin e gjirit me cikatrice të fshehura në palosjet natyrale. Ky operacion kërkohet kryesisht për arsye estetike, por edhe për arsye mjekësore (dhimbje në qafë, në shpinë, në shpatulla, vështirësi në aktivitete sportive dhe çrregullime psikologjike që lidhen me këto vështirësi).
Hipertrofia mamare përkufizohet si një ekses i vëllimit të gjinjve që shkakton disproporcion në raport me siluhetën e pacientes. Kjo tepri e vëllimit shoqërohet shpesh me një ptozë mamare (rënie të gjinjve) dhe ndonjëherë edhe me asimetri mamare.
Parimi kryesor është heqja e teprisë së gjinjve në raport me dëshirën e pacientes duke ruajtur një vëllim ne proporcion me morfologjinë e pacientes. Heqja e lëkurës së tepërt bën që gjiri pas ndërhyrjes të duket më bukur, i lëmuar dhe i ngritur. Në përgjithësi cikatricja bëhet në formën e një T-je me kokë poshtë. Në rastet kur ptoza është pak e dukshme, mund të realizohet vetëm një cikatrice vertikale dhe një përreth areolës së gjirit. Ky intervent mund të realizohet pas përfundimit të rritjes dhe në çdo moment tjetër të jetës pas kësaj periudhe. Ky intervent nuk bëhet pengesë për shtatzaninë apo dhënien e gjirit, por gjithsesi duhet lënë një kohë minimale prej 6 muajsh pas operacionit. Operacioni i reduktimit të gjirit kërkon një anestezi të përgjithshme, gjë që do të thotë se ju do të jeni në gjumë gjatë gjithë kohës operatore. Në varësi të rastit të çdo pacenteje, 1-3 ditë janë të nevojshme për qëndrimin në spital/klinikë.