Mamoplastika e zmadhimit nëpërmjet protezave mamare

Qëllimi i operacionit është rritja e vëllimit të gjinjve si dhe përmirësimi i kurbës dhe projeksionit të tyre nëpërmjet implantimit të protezave. Ky operacion konsiston në vendosjen e protezave duke korrigjuar në këtë mënyrë hipoplazinë mamare e cila është zhvillim i pamjaftueshëm i gjinjve në raport me morfologjinë e pacientes. Kjo hipoplazi mund të jetë e dukshme pas përfundimit të pubertetit, por mund të shfaqet edhe si efekt dytësor i dobësimit të trupit (humbje e konsiderueshme e peshës), ose vërehet pas një shtatzanie të pasuar nga dhënia e gjirit. Ka raste kur hipoplazia mamare mund të shoqërohet me nje ptozë apo lëshim mamar, që përkthehet në një rënie të gjirit dhe varje të lëkurës.

Të gjitha protezat mamare që përdoren aktualisht në kirurgjinë estetike janë të përbëra nga një kapsulë mbeshtjellese dhe produkti mbushës që gjendet brenda saj. Kapsula përbëhet prej silikoni elastik (elastomer silikoni), ndërsa produkti mbushës është xheli i silikonit. Kapsula mund të jetë e lëmuar apo e teksturuar dhe përmasat e saj janë të ndryshme. Çdo kirurg ka një teknikë të vetën kirurgjikale me të cilën operon, por gjithsesi, parimet bazë të interventit janë të njëjta. Mënyra operatore vendoset sipas disa kritereve, dëshirave të pacientes, mënyrën e punës së kirurgut dhe mjedisit anatomik. Proteza futet nga një incizion (prerje e vogël) i cili mund të realizohet; mbi areole, në sqetull ose në palosjen e poshtme të gjirit. Pozicionimi i protezës bëhet në raport me muskulin pektoral. Pra. proteza që ju do të keni do të jetë e vendosur ose prapa gjendrrës mamare dhe para muskulit pektoral ose prapa gjendrrës mamare dhe prapa muskulit pektoral. Ky operacion kërkon anestezi të përgjithshme. Koha mesatare e qëndrimit në spital/klinikë është 24 orë.

WhatsApp chat