Komplikacionet e mundshme
Kirurgjia e gjirit edhe pse realizohet për motive krejtësisht estetike, ngelet një ndërhyrje kirugjikale që mund të ketë komplikacione. Ekzistojnë komplikacione që lidhen me anestezinë dhe aktin kirurgjikal të cilat duhen njohur dhe trajtuar:
– Shfaqja e një infeksioni trajohet me antibiotikë dhe ndonjëherë edhe me drenazh kirurgjikal.
– Hematomat trajtohen nëpërmjet gjesteve të evakuimit.
– Mungesa e ndjeshmërisë, kryesisht të mameloneve (thithkave), mund të vërehet shpesh, por ndjeshmeria e tyre rikthehet pas 6-18 muaj.
– Zhvillimi i cikatriceve mund të jetë jo i favorshëm, gjë që ka të bëjë me cikatrice hipertrofike (keloide), të cilat mund të shfaqen dhe zhvillohen në mënyrë të papritur duke kompromentuar estetikën e rezultatit final dhe të cilat kërkojnë trajtime lokale specifike që zgjatin.
Disa komplikacione lidhen në mënyrë specifike me implantet (protezat) e gjirit dhe këto kanë të bëjnë kryesisht me palosje dhe kontraktura të cilat mund të jenë rezultat i shokeve fizike të lidhura kryesisht me aksidente. Është e rëndësishme të dihet që një grua e cila ka bërë implant të protezave mund të japë gji normalisht, megjithëse mjeku do t’ju këshillojë ta kryeni këtë operacion pas shtatzanive të planifikuara. Protezat e gjirit sot janë tërësisht të kontrolluara, veçanërisht pas skandalit të para disa kohëve me një nga prodhuesit e tyre. Ato nuk favorizojnë shfaqjen e kancerit të gjirit. Kirurgët e qendrave anti kanceroze përdorin rregullisht proteza të gjirit për kirurgjinë rikonstruktive post kancerit.
Anestezia
Përsa i përket anestezisë, gjatë konsultës, mjeku anestezist do t’ju informojë per risqet anestezike. Duhet ditur që anestezia percjell në organizëm reaksione ndonjëherë të paparashikueshme, por pak a shumë të thjeshta per tu kontrolluar. Teknikat dhe produktet anestezike kanë bërë progres këto 20 vitet e fundit, duke ofruar një siguri optimale për pacientin. Në varësi të ndërhyrjes, kirurgu vendos për llojin e anestezisë që do të praktikohet. Në shumicën e operacioneve të gjirit praktikohet anestezia e përgjithshme, gjë që do të thotë se ju do ta kaloni të gjithë kohën operatore në gjendje gjumi.
Përpara ndërhyrjes
Kirurgu analizon të gjitha karakteristikat fizike të pacientes : gjatësinë, peshën, morfologjinë toraksike dhe mamare, muskulaturën, sasinë dhjamore dhe vëllimin e gjëndrrës, cilësinë e lëkurës, shtatzanitë, dhënien e gjirit, etj. Ai do t’ju shpjegojë mënyrën e ndërhyrjes, cikatricet që do të realizojë gjatë operacionit dhe mund t’ju japë të gjithë informacionin që ju nevojitet mbi ndërhyrjen dhe pas saj. Në rastet kur kemi të bëjme me vendosjen e protezave mamare, mjeku do t’ju shpjegojë mënyrën e vendosjes së tyre, sipër apo poshtë muskulit, llojin e protezave, masën e tyre si dhe çertifikatën e tyre mjekësore. Ju duhet të diskutoni me kirurgun mbi dëshirat tuaja dhe mundësitë më të mira për ti plotësuar ato. Vendimi që ju merrni së bashku me të do të jetë në funksion të këtyre dëshirave, por edhe në funksion të kontekstit tuaj anatomik.
Përpara ndërhyrjes ju do të kryeni analizat biologjike të nevojshme dhe një konsultë me mjekun anestezist që do të asistojë interventin. Gjatë kësaj konsulte ju do të diskutoni llojin e anestezisë që do të përdoret gjatë ndërhyrjes. Përveç analizave preoperatore mund të jetë e nevojshme të kryhen verifikime të imazherive mamare (mamografi dhe ekografi). Këshillohet të mos merret asnjë medikament që permban aspirinë deri në 10 ditë para ndërhyrjes. Për të evituar probleme të cikatrizimit, mjeku do t’ju kërkoje që të mos pini duhan një muaj para dhe një muaj pas ndërhyrjes. Në rast se pacientja merr kontraceptivë, mjeku mund të kërkojë gjithashtu ndërprerjen e tyre për të evituar çdo problem që lidhet me qarkullimin e gjakut dhe koagulimin.
Ndjekja pas ndërhyrjes
Ditët e para pas ndërhyrjes mund të jenë të dhimbshme sidomos kur kemi të bëjmë me vendosje të implantit mamar dhe veçanerisht kur ky i fundit vendoset pas muskulit pektoral. Pas ndërhyrjes mjeku do t’ju përshkruajë trajtime antidhimbje për disa ditë. Në shumicën e rasteve pacientja ka një ndjenjë të fortë tensioni. Edemat (enjtje), ekimozat (mavijosje), dhe vështirësia në ngritjen e krahëve janë shumë të shpeshta në ditët e para pas ndërhyrjes. Fashatimi i parë hiqet pas 24-48 orëve dhe zëvendësohet me një tjetër më të lehtë që realizon një lloj busti elastik. Ky lloj busti këshillohet të mbahet për rreth një muaj, ditë dhe natë. Nëse fijet nuk janë të tretshme, atëhere ato do të hiqen disa ditë pas operacionit. Mjeku do tu rekomadojë periudhën e nevojshme të pushimit, pas së cilës aktiviteti normal është plotësisht i mundur. Rezultati përfundimtar është i dukshëm pas muajit të tretë. Vetëm pas kësaj periudhe pacientja do të ndjejë të gjitha benefitet estetike dhe psikologjike të interventit.
Ndërhyrjet e kirurgjisë së gjirit përfshijnë: