është e njohur me emrin komercial të Botox-it. Toksina botulike është një agjent paralizues neuromuskular. Ajo paralizon muskulin mbi të cilin injektohet duke penguar nervin, i cili e urdhëron atë, të kontraktohet. Në ketë mënyrë muskuli nuk retraktohet dhe rrudhat nuk mund të formohen.
Toksina botulike paraqitet në flakone, në formë pudre. Ajo është një produkt shumë delikat i cili ruhet në temperatura të ulëta. Kur ajo ndërtohet (përzihet me fiziologjik) duhet ruajtur në frigorifer. Çdo flakon ka nga 50-100 njësi dhe për këtë arsye jo gjithmonë mjeku hap një flakon të ri sa here që ju mund të bëni një injeksion (duhet pasur parasysh që mesatarisht një person ka nevoje për injektimin e 30-50 njësi).
Trajtimi me Botox merr vetëm disa minuta. Mjeku shpon muskulin përgjegjës për rrudhën dhe efekti fillon të shfaqet nga 3-10 ditë pas injeksionit. Në raste të tjera kjo kohë mund të shkojë deri në 15 ditë pas injeksionit.
Në mënyrë progresive, pas 4-6 muajsh, efektet fillojnë të zvogëlohen deri në shuarjen e tyre. Në këtë moment fillon dhe rishfaqet aksioni muskular dhe bashkë me të edhe rrudhat. Pas disa injeksioneve, kontraktimi muskular zvogëlohet dhe koha pas së cilës nevojitet një riinjektim sa vjen dhe zgjatet, duke shkuar deri në 12 muaj.
Gjithsesi, kur rrudhat bëhen më të thella dhe permanente, toksina botulike duhet të kombinohet me të tjera trajtime (mbushje, peeling apo kirurgji), pasi në këtë moshë kolagjeni në lëkurë shkatërrohet. Toksina botulike është përdorur në mjekësi prej shumë vitesh, në patologji të ndryshme. Në estetikë ajo përdoret që prej 1994, në fillim në Kanada pastaj në SH.B.A. dhe Evropë.
Megjithëse injektimet e saj janë bërë shumë të shpeshta, ato nuk përjashtohen nga efektet e padëshirueshme. Ndër këto efekte mund të përmendim edemat e lehta që mund të shfaqen pas injektimit, deri në infeksione të lehta në raste të rralla. Ndonjëherë, ka persona që ankohen për dhimbje koke pas injektimit, të vjella apo dhimbje në fytyrë. Në përgjithësi këto shqetësime zhduken spontanisht pas disa ditësh. Rrezik të vërtetë do të paraqiste vetëm injektimi i një doze masive në muskulin e qafës, që do të sillte vështirësi në frymëmarrje, por këto raste janë shumë të rralla.
A mund të dështojë një trajtim me toksine botulike? Edhe po, edhe jo. Gjithsesi nuk duhet harruar që toksina botulike nuk vepron menjëherë (shih më lart). Pra, duhet bërë paksa durim për të parë efektet e saj.
Është gjithashtu e vërtetë që tek disa persona, rezultati mund të jetë i pamjaftueshëm. Kjo ndodh më shpesh tek meshkujt, tek të cilët muskujt e ballit janë më të fortë se tek femrat. Në raste të pacientëve me rrudha shumë të thella, mund të ndodhë gjithashtu e njëjta gjë dhe në këto raste mund të parashikohet një riinjektim në zonat që nuk kanë reaguar.
Në disa raste shumë të rralla mund të hasim një mungesë totale të reagimit ndaj injektimit të toksinës botulike dhe kjo sepse ka raste që organizmi prodhon antikorpe që neutralizojnë veprimin e saj mbi muskujt që në momentin e injektimit. Gjithsesi, toksina botulike është sot në botë produkti më i përdorur për eliminimin e rrudhave të ballit, atyre tek cepat e syve apo të qafës. Rezultatet e saj janë shumë mirë të provuara dhe me një sukses të padiskutueshëm.
Toksina botulike përdoret gjithashtu në rastet e hyperhidrozës (djersitje eksesive) dhe ka rezultate të mira që shkojnë deri në 90% të reduktimit të djersitjes. Frekuenca e injektimit te saj është e njëjtë si në rastet e trajtimit të rrudhave.