Radikalet e lira janë përbërje të dëmshme, reaktive të cilat formohen në organizëm nga oksidimi. Ato dëmtojnë qelizat dhe shtresat qelizore. Organizmi prodhon radikalet e lira të cilat ndikojnë në procesin e prodhimit të energjisë si dhe në mekanizmat imunitare, duke luftuar ndaj sulmeve virale dhe bakteriale. Ndonjëherë ato prodhohen në mënyrë eksesive duke degraduar qelizat, proteinat apo ADN: quhet ndryshe “Stresi Oksidues”. Antioksiduesit janë molekula, përgjithësisht vitamina dhe oligoelementë që gjenden tek frutat dhe perimet dhe që luftojnë radikalet e lira duke i bërë ato inofensive dhe duke mbrojtur kështu organizmin nga oksidimi dhe dëmet e tij.
Tepria e radikaleve të lira është e lidhur me mungesën e antioksiduesve në ushqim apo me një sistem mbrojte enzimatike që nuk funksionon normalisht. Faktorë te tjerë të jashtëm që e ndikojnë këtë tepri të radikaleve te lira, janë : duhani, alkooli, ndotja, ekspozimi në diell, sforcimi fizik dhe përdorimi i disa medikamenteve. Ndonjëherë, shoku psikologjik mund të sjellë rënien e numrit të antioksiduesve, duke shtuar radikalet e lira: në këtë rast kemi të bëjmë me stresin oksidues. Pasojat e tij janë probleme kardiake, arterosklerozat, kancer, poliartriti reumatizmal, osteoporoza, plakja e parakohshme, sëmundja e Parkinsonit, sëmundja e Alzheimer, etj.
Seleniumi është një oligo-element dhe një antioksidues i rëndësishëm për organizmin tonë. Ai luan një rol të madh në mbrojtjen e membranës qelizore dhe vepron ndaj radikaleve të lira. Pa të, organizmi ynë nuk do të funksiononte si normalisht sepse ai vepron gjithashtu në nivelin e enzimave dhe bën të mundur zhvillimin e disa reaksioneve metabolike të rëndësishme për jetën. Seleniumi është një faktor madhor në parandalimin e plakjes. Ai është prezent në një numër të madh ushqimesh si mishi, peshku, vajrat, disa djathëra, perimet dhe vezët.